Aleanca politike

Home / Aleanca politike

Ka shumë këndvështrime të lira në lidhje me mundësinë e bërjes apo jo koalicion mes PBDKSH dhe subjekteve të tjera. Shqipëria ka probleme të mëdha që lidhen me sistemin politik shqiptar, i cili funksionon mbi diktatin dhe monopolin e partive të mëdha. Rrethanat historike i kanë ndihmuar ata ta krijojnë këtë status quo dhe realiteti është ky.

A do të jetë i përjetshëm ky realitet? Kjo do të varet nga vullneti i qytetarëve dhe nga masa e angazhimit të tyre në politike. Sa më shumë indiferentë me politikën qëndrojnë qytetarët aq më jetëgjatë do të jetë monopoli dhe diktati i partive të mëdha.
Ne, nuk duam të jemi parti e madhe dhe as nuk e kemi këtë iluzion. Madje, qëllimi ynë është të jem me peshë e me forcë lokale e me kontribute të rëndësishme kombëtare.
Pra, ne duam të përfaqësojmë Komunitetin dhe të kemi një lidhje të ngushtë me ta. Megjithatë, në kushtet e këtij diktati dhe të këtij Kodi Zgjedhor jemi të detyruar të bëjmë koalicion dhe marrëveshje politike.
Ne, kemi misionin për të përfaqësuar komunitetin dhe qytetarët dhe nëse ne nuk bëjmë koalicion i zhgënjejmë ata duke i lënë pa përfaqësim. Megjithatë, tashmë që kemi identitetin tonë politikë kjo i ka ndryshuar ca gjëra.

Së pari, ne hyjmë në koalicion me një logo, filozofi politike e me objektiva konkrete dhe me identitet të fortë territorial. Kjo do të thotë se nuk mbetemi në kushtet “as të nënës e as të njerkës”.
Pjesëmarrja jonë në koalicion nuk e tradhton misionin tonë, por e forcon atë duke ngritur në nivel qeverisës dhe institucional.

Së dyti, Qeverisja e Vendit ka nevojë për filozofinë e vërtetë Demokristiane e cila me pragmatizmin e saj ideoji dhe themeloi Bashkimi Europian.
Në këtë këndvështrim ne jemi të hapur për të bërë bisedime dhe për të hyrë në negociata politike për marrëveshje politike para zgjedhore.

Jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje apo negociata me çdo subjekt apo koalicion që na respekton si partner dhe bashkëpunëtor në realizimin e politikave të shëndosha për një qeverisje efikase e mbi të gjitha në shërbim të qytetarëve.

Gjatë, kësaj kohe ne do të vazhdojmë programin tonë politikë të ringritjes, riorganizimit dhe të hapjes së PBDKSH me të gjitha shtresat shoqërore.