De Gasperi, demokristianët dhe Kisha Katolike Shqiptare

Home / Njoftime / De Gasperi, demokristianët dhe Kisha Katolike Shqiptare

Nga Alban Daci

Në fillimet e ringritjes së Demokracisë Kristiane, De Gasperi nënvizonte se, ishte i domosdoshëm konsensusi i Kishës Katolike për të garantuar një demokraci të qëndrueshme me pjesëmarrje sa më të gjerë politike. Sipas De Gasperit konsensusi demokratik ishte i mundur nga ana e Kishës Katolike, sepse i përkiste realitetit të saj social ku ajo kishte lindur dhe ishte fekonduar dhe po ashtu traditës së gjatë të viteve ‘800 katolike-liberale e demokratike. Sipas De Gasperit vlerat më të thella liberale të demokracisë ishte të shprehura në mendimet e krishtërimit. Prandaj, duhet me çdo kusht të fitohej konsensusi i Kishës Katolike për demokracinë. Partia Demokristiane nuk merrte vetëm një detyre politike, por një suplement kulturor e fetar. Për këtë motivimi i konsensusit të Kishës Katolike do të thoshte konsensus popullor edhe për partinë e re.

Partitë Demokristiane shqiptare të themeluara nga fillimi i viteve ’90 nuk e kanë kërkuar konsensusin e Kishës Katolike në shërbim të një demokracie të qëndrueshme, nuk kanë mundur ta marrin këtë konsensus, ose nuk janë interesuar për të. Kjo ka ndodhur për shkak të faktit se, Kisha Katolike shqiptare kishte pasur një marrëdhënie dhe eksperiencë negative politike me Regjimin dhe e shoqëronte gjithmonë pas frika se gjerat nuk do të shkonin përsëri mirë duke pasur marrëdhënie politike qoftë edhe me subjektet politike që në aparancë kishin emërtimin “demokristian”. Një arsye tjetër është fakti se si Kisha Katolike ashtu edhe partitë politike shqiptare pas viteve ’90 nuk kanë pasur figura karizmatike të gatshme për një marrëdhënie të re në shërbim të demokracisë. Ndoshta një arsye tjetër që Kisha Katolike ka qëndruar në distancë në proceset politike e demokratike në vend pas viteve ’90, ka qenë edhe fakti se Shqipëria ka edhe komunitete të tjera fetare e për këtë arsye nuk ka dashur të jap mesazhe se është e interesuar për procese politike dhe demokratike në vend.

Po kush është misioni i vërtetë i Kishës Katolike? Kisha katolike është fekonduar në realitetin social, ka pasur dhe ka një marrëdhënie të ngushtë me shoqërinë civile, ka qenë promotore e shumë proceseve, ndonjëherë në antogonizëm e shumë herë edhe në harmoni. Megjithatë, Kisha Katolike e Romës gjithmonë ka qenë protagoniste për proceset politike, demokratike e për çështje të rëndësishme që lidhen me varfërinë, korrupsionin, primi e organizuar dhe çështjen e të drejtave të njeriut. Kisha Katolike shqiptare nuk e ka bërë këtë mision në Shqipëri duke krijuar një hapësirë boshe për proceset e rëndësishme të demokratizimit të vendit. Kohët e fundit kemi vetëm Gjergj Metën që me anë të shkrimeve të tij është munduar të jap opinionin e tij për korrupsionin, politikën, qeverisjen, varfërinë, por prapë është shumë pak në këtë drejtim. Roli i Kishës katolike duhet të jetë shumë më i madh dhe i rëndësishëm në drejtimin e pjesëmarrjes politike, kriticizimin e saj, apo edhe në konsesusin real me forcat e vërteta demokristiane në vend. Kisha Katolike duhet të reagojë kundër primi të organizuar në vend ashtu siç bën Kisha Katolike në Itali kundër organizatave mafioze. Kjo mund të bëhet në Shqipëri përmes një qëndrimi të unifikuar të Kishës Katolike, ose përmes figurave të spikatura, priftërinjtë me peshe sociale e fetare që mbajnë mesha e flasin hapur me opinionin publik kundër primi të organizuar, varfërisë dhe korrupsionit. Ndonëse Kisha Katolike edhe në Shqipëri ka filluar të zgjohet në këtë drejtim duke vendosur të mos pres politikanë në festa fetare, kjo nuk mjafton, Kisha Katolike është një autoritet që ka një peshë shumë më të madhe dhe ndërhyrjet e saj janë të fuqishme përballë çdo autoriteti, qoftë edhe përballë oligarkisë.

Partitë Demokristiane, duhet të ribashkohen dhe po ashtu duhet të fillojnë të hyjnë në marrëdhënie korrekte, të ngushta e të drejtpërdrejta me Kishën Katolike duke i kërkuar kësaj të fundit përfshirjen e saj, konsensusin e saj për një demokraci tw qwndrueshme në vend dhe po ashtu për të përmisuar në linja të përgjithshme cilësinë e përfaqësimit të qytetarëve.

A dëmtohet harmonia fetare në vend nëse Kisha Katolike rrit praninë e saj për fenomenet sociale në vend dhe kërkon të jap kontributin e saj për demokracinë? Jo aspak! Përkundrazi kontributi i Kishës Katolike, brenda kornizave liberale që e karakterizojnë atë do e forconte harmoninë fetare, sepse do të ndihmonte për një Shqipëri me demokratike. Demokracia përkthehet stabilitet social, ekonomik e rritje mirëqenie. Misioni i Kishës Katolike edhe përmes parrokeve të saj është lidhje e ngushtë me besimtarët, qytetarët dhe me realitetin social duke e mbrojtur atë nga format dhe devijancat siç është krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore, drogës dhe keqqeverisja e përkthyer në abuzim me pushtetin dhe korrupsion mbi të ardhurat publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *