Këndvështrim për Rigerta Lokun dhe fjalimin e saj në Parlament.

Home / Njoftime / Këndvështrim për Rigerta Lokun dhe fjalimin e saj në Parlament.

Nga Alban Daci

Për fat të keq kemi një Rini që nuk ka respekt për vlerat e veta dhe është e paguximshme ose e frikësuar për të dhënë kontribute në proceset e rëndësishme të vendit. Të mbarosh “La Sapienza” dhe të përfundosh në fshatë, nuk është e turpshme, por është një zgjedhje. A është e gabuar apo jo? Kjo është e drejte e çdo personi të zgjedh rrugën e jetës së tij. 

Megjithatë, gabimi me i madh i të rinjve është fakti që nuk angazhohen në politike e kthehen vetëm në qenie të ndëshkuara padrejtësisht prej saj. Unë, jam i idesë që intelektuali duhet të bëj intelektualin dhe çobani duhet të bëj çobanin. Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për të shkolluar jashtë dhe për vlera intelektuale. Sot, ka plot mënyra për të luftuar për vlerat intelektuale, për t’i zhvilluar ato dhe për të sjellë edhe risi. Lezha është Qarku që ka nivelin me të lartë të injorancës në politikë dhe të inkriminuarve të në Politikë. E kam thënë disa herë dhe vazhdoj ta them, dëmin që i ka bërë politika Lezhës, duke e identifikuar me njerëz të inkriminuar dhe injorantë, nuk do të rikuperohet kollaj edhe për shumë vite në vazhdim. Falë politikës është krijuar ideja se Lezha ka vetëm persona të tillë dhe nuk ka punëtor e intelektual. Lezha ka shumë njerëz të thjeshtë, punëtor, ka intelektual të mëdhenj, por të frikësuar dhe në varfëri vazhdojnë të jetojnë me hijen e tyre si fantazma të një qyteti të braktisur nga vlerat. Rigerta Loku e të tjera si ajo vazhdojnë të qëndrojnë jashtë politikës dhe institucioneve, për shkak të modelit të politikës që nuk përfaqëson realitetin social të vendit, por edhe për shkak të pasivitetit të tyre. Rigerta me dy diploma në “La Sapienza” në Romë dhe ka përfunduar me dhi, ndërsa LSI e ka mbushur Parlamentin me nxënës shkolle dhe me adoleshentë që përpiqen të bëjnë dhe intelektualët e mëdhenj, PS e ka mbushur me të inkriminuar, me analfabet dh e me “Kristalin” e kështu me radhë.


  1. Fjalimi i saj është histerike, realist, por nuk sjellë asgjë të re. Kemi vite që themi se fshati është në mëshirën e fatit. Këtë e dine të gjithë. Këtë nuk e dinë vetëm gazetat dhe televizionet tona që janë kyçur në sallonet e pushtetit e politikës. Ky është problemi me i madh i mediave në Shqipëri. Në fjalimin e saj nuk pashë asgjë profesionale dhe të mençur, veçse një retorike e mbushur me emocione që më shumë përshkruanin situatën e pakënaqësinë e saj personale, se sa një reflektim të përbashkët.  Me keqardhje pashë një intelektuale që u dorëzuar para politikës e kërkonte mëshirë për ta.  Në një shkrim timin të shkruar në 2008 me titull “Aty ku malet flasin si dëshmitarë të kohës”  ndër të tjera kam shkruar: “…Të gjithë jemi të vetëdijshëm për mjerimin e tejskajshëm që ekziston në disa zona të Shqipërisë, sidomos në Veri, ku buka është privilegj, ku dituria është ëndërr dhe jo realitet, ku jeta është monotoni dhe jo gjallëri, Fillimet e viteve ’90 sollën shpresën e madhe për zonat malore dhe për malësorët e ndershëm, duke shpresuar se më në fund dhe zhvillimi dhe modernizmi do t’i prekte nga afër duk ju dhuruar mirëqenie. Realiteti i ndërtuar dhe sapo nisur ishte një zhgënjim i radhës për banorët e këtyre zonave, sepse jo vetëm nuk solli metamorfozën e modernizimit por solli emigrimin e jashtëm dhe të brendshëm si e vetmja rrugë për tu larguar nga mjerimi në kërkim të jetës normale. Unë, do ju këshilloja me keqardhje të vizitoni këto zona, ku do të gjeni jo skllavërinë e detyruar me forcë dhe të ushtruar me dhunë, por vetë skllavërimin e këtyre banorëve që përdorin mjete rrethanore të periudhës së Egjiptit të Lashtë, si: shati, lopata, kazma për të punuar tokën. Janë të skllavëruar për të siguruar bukën e misrit gjatë dimrit që do ju mbaj frymën deri në verën e ardhshme…”.

  2. Kam vite që luftoj për meritokraci dhe punësimin e të rinjve. Sikur të bëheshim më shumë, Rigerta do të kishte punën që meriton. Kam  tre  vjet që luftoj në Qarkun e Lezhës për këto të drejta. Bashkia ka qindra militantë të punësuar pa asnjë konkurs, drejtoritë po ashtu si dhe në të njëjtën situatë është edhe Bashkia Mirditë. Të denoncosh gjëra që dihen është kollaj, të angazhohemi në linjë të parë për t’i zgjidhur është zor.

  3. E njoh mire realitetin e Parlamentit, njerëzit që ulen aty. Jam i sigurt që pasi Rigerta ka mbaruar fjalimin, një pjesë e mirë e parlamentareve tanë janë zgërdhi duke thënë se: e pate maloken dhe kanunaren e Mirditës që qante dhe si ishte veshur…Ndërsa deputetë të tjerë janë interesuar nëse është nisur përsëri për Mirditë, sepse elementë të tillë i duan larg tortës së pushtetit.

  4. Rigerta me “La Sapienza” jeton në fshatë, Lindita  Nikolla, deputete e Lezhës, me Kristal është Ministre Arsimi.

Nëse, ne, të rinjtë duhet ta ndryshojmë këtë realitet, duhet të angazhohemi fuqishëm në politike për të kontribuar për vendin dhe për të mbrojtur dinjitetin dhe sakrificat tona të shkollimit. Sa për fjalime, ata, që janë në Parlament nuk pyesin. Ata njohin vetëm frikën dhe frikë më të madhe kanë forcën dhe dijen e të rinjve. Ju të rinjtë Angazhohuni në politik, rrezoni muret që ka vendosur elita e vjetër politike, luftoni ballë përballë kundër tyre, sepse vetëm kështu i shërbeni vetes dhe vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *