Fitorja e Merkel dhe demokristianët shqiptarë

Home / Njoftime / Fitorja e Merkel dhe demokristianët shqiptarë

Nga Alban Daci
N/Kryetar
Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar

Merkel fiton për herë të katërt në Gjermani dhe demokristianët fitojnë përsëri në Gjermani.
Kjo është një dëshmi e qartë se, alternativa dhe filozofia demokristiane mbeten një alternativë reale qeverisëse dhe po ashtu një faktor i rëndësishëm në vendet më të forta të BE-së.

Po pse demokristianet shqiptarë vazhdojnë të kenë humbje dhe të mos jenë model qeverisje?
Demokristianët shqiptarë kanë një kulturë të gjerë dhe një histori të ndritshme mendimi filozofik politik, por që nuk është konvertuar asnjëherë realisht në aksione politike konkrete dhe në model të mirefilltë qeverisje.

Si filozofi politike, demokristianët shqiptarë mund të konsiderohen ndër më të hershmit në Europë e po ashtu edhe si model institucional. Këtu duhet të kemi parasysh se, Pal Engjelli, ishte prift dhe mbante pozicionin e një ministri të jashtëm në kohën e Mbretërisë së Skënderbeut.

Ai është modeli i parë, nëse mund të konsiderohet kështu, si ministër i jashtëm në fillimet e diplomacisë shqiptare si institucion i mirëfilltë ndërmjetësimi, negocimi, lobimi me aleatët e Skënderbeut.

Ardhja e osmaneve dhe qëndrimi i tyre për rreth 500 vjet i dhanë një goditje të rëndë filozofisë demokristiane si konceptim dhe funksionim i Shtetit.

Një goditje tjetër e rëndë për filozofinë demokristiane ishte dhe ndarja e ortodoksëve dhe katolikëve shqiptarë, për shkak të ndarjes historike të dy kishave.

Pra, ortodoksët shqiptarë nuk u bënë pjesë e filozofisë demokristiane duke u ndikuar nga modeli i kishave ortodokse në Rajon, të cilat shtetin e shikonin si pjesë të tyre dhe nuk ishin dakord me konceptet e ‘800, për ndarjen e udhëheqësit nga cilësitë hyjnore e po ashtu për ndarjen e fesë nga shteti.

Një periudhë lulëzimi demokristianët shqiptarë e njohën ne fillimet e Mbretërisë se Zogut e pastaj përsëri pësuan goditje me pushtimin e Shqipërisë nga Fashizmi, i cili si regjim totalitare, të vetmen fe, kishte fashot e Musolinit e të vetmen filozofi qeverisje kishte modelin autoritar të një regjimi diktatorial.

Goditja më e rëndë e demokristianëve shqiptarë ishte ardhja e regjimit komunist, i cili menjëherë u shpalli luftë krerëve fetare, dijetarëve e bashkë me ta edhe iniciativave për të krijuar alternativën e mirëfillte politike demokristiane në Shqipëri.

Ardhja e pluralizmit politik në Shqipëri u dha mundësi rrymave të ndryshme politike të krijohen dhe të vazhdonin jetën politike. Demokristianë e vërtetë ose mentorët e vërtetë demokristianë shqiptarë, shumica ishin pushkatuar, disa kishin vdekur në mërgim, të tjerë kishin shumë vite burgu mbi shpinë e ishin në gramat e fundit të jetë. I vetmi mes tyre që tentoi të bënte rrymën e vërtetë demokristiane ishte At Zef Pllumit, por ky u pengua nga rrymat e forta të trashëgimisë komuniste që ishin konvertuar brenda një periudhe të shkurtër në liberal dhe demokratë.

Në këto rrethana, logoja dhe emri i demokristianëve u keqpërdor nga persona që s’kishin as të kaluarën familjare demokristiane e as formim politik demokristian, por kishin mësuar e studiuar në Shkollën e Partisë, ose kishin mësuar Artin Komuniste për t’i shërbyer Regjimit.
Për këto rrethana ne periudhën e tranzicionit e deri më sot, demokristianët nuk u kthyen kurrë një alternativë reale politike e aq më pak një model institucional qeverisje.

Pas 20 vitesh, rrethanat janë që demokristianët të kthehen në elitë politike dhe të jenë protagonistë reale. Për të ndodhur kjo, ata duhet të besojnë tek e kaluara dhe duhet të impenjohen për të ardhmen.
Nuk mund te jesh edhe socialiste edhe demokristian, nuk mund të jesh edhe me LSI-në edhe demokristian, nuk mund të jesh edhe demokristian edhe me PD-në.

Demokristianët shqiptarë duhet të ribashkohen, të plotësohen me elementë të rinj, të shkolluar në Europën demokristiane e të rikthehen faktorë në politikën shqiptare. Mundësitë janë reale, mbetet vetëm çështje vullneti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *