Rama blindon pushtetin e tij!

Home / Njoftime / Rama blindon pushtetin e tij!

Nga Alban Daci 

Ndoqa me mjaft interes punimet e Asamblesë së PS-së!
Vazhdoj të mahnitem me impostimin e argumenteve dhe bërjen e propagandës që vazhdon të karakterizon filozofinë e Rilindjes. Një meritë të veçantë dhe kryesore për këtë sigurisht ka Rama, që mbetet ideatori kryesor dhe padyshim edhe protagonisti absolut. Rama do të njihet si mjeshtri më i madh shqiptar në cilësinë e tij të komunikimit dhe të çështjeve të propozuara dhe të trajtuara. Komunikimi me masën që me ardhjen e Ramës në pushtet ka marr një dimension tjetër, ai është bërë më intensiv, konstant dhe krejt manipuluese me qëllim final pushtetin dhe privilegjet e tij, ku qytetarët vazhdojnë të mos informohen, por realisht të manipulohen duke u krahasuar me pula të dehura që botën e shikojnë me sytë optimiste të Edi Ramës.
Dikush më tha se këtë nivel të lartë propagande dhe komunikimi ja bëjnë këshilltarët e huaj, që mbështesin pushtetin e Ramës. Unë, me bindje them jo, sepse janë ide tipike të një mendje shqiptare dhe të një modeli shqiptar. Ajo që bie në sy tek modeli i komunikimit të Ramës me publikun ose masat është fakti se gjerat duket si të rastësishme e spontane, por në fakt asgjë nuk ka spontane në aksionet e tij dhe çdo gjë është e llogaritur mirë dhe ka një qëllim të caktuar dhe për të transmetuar mesazhe të caktuara.
Rama, po përzien komunikimin e manipulimin e masave me ndjenjën e fajësisë së tij e viktimizimin e shumicës.
Rama, për mendimin tim do të mbetet antropologu më i mirë shqiptar dhe psikologu më i mirë i masave shqiptare. Komunikimi i tij është deri diku edhe hiptnotizues. Ai ka kuptuar se për çfarë kanë nevojë shqiptarët. Ata kanë nevojë për bashkë përfshirje në faj, për autokritik dhe viktimizim.
Rama, ka kuptuar se shqiptarët e urrejnë politikën dhe për këtë arsye ai bën politik me antipolitik.
Ai del formalisht në krahun e qytetarëve, por realisht ndjek interesat e pushtetit. Qytetaret kuptojnë të parën e të dytën jo, sepse e dyta është filozofi, makineri dhe proces larg tyre.
Rama hipnotizon turmat e masat sikur po krijon mekanizma të rinj, por në fakt ata janë krejt të pavlerë në efekshmëri institucionale. Megjithatë kanë efekt të madh propagande duke e radhitur Ramën në krah të masave e kundër pushtetit. Pra, kjo është optika false që Rama krijon tek masat përmes stilit dhe strategjive të tij të komunikimit. Kështu është për shembull kjo puna e kontratës paraprake që duhet të nënshkruajnë ministrat para se të marrin detyrën.
Po çfarë është në të vërtetë kjo kontratë? Çdo ministër në vende demokratike ka dy kontrata: njëra është politike me subjektin që përfaqëson, me programin qeverisës dhe filozofinë politike dhe tjetra më e rëndësishmja është raporti me Kushtetutën. Kjo e dyta ka efekte të menjëhershme juridike dhe me pasoja edhe të renda ligjore nëse nuk respektohet.
Pra, kontrata paraprake qe Rama u propozon ministrave është nulë në raport me dy modelet e përmendura më lart, por me efekte të rëndësishme tek masat të cilat do të thonë, mendojnë e binden se: shikoni çfarë bën Rama për ne, do ju bëj zbor atyre “legenëve” ministra që të mos na vjedhin më dhe të qeverisin si duhet.
Më këtë akt Rama nuk është moniste në natyrën e tij, por dualist, sepse në sytë e qytetarëve është lideri i madh, babaxhani e në sytë e ministrave të tij është i plotfuqishmi, Cesari.
Rama është antropologu më i mirë i vendit. Ai përmes faqes së tij të facebook dhe raporteve të dëgjesave ka studiuar mire maraqet e popullit dhe çështjet që atyre ju rëndojnë më shumë. Dihet se shqiptarët historikisht kanë vuajtur nga një burokraci e theksuar, zyra pafund, zyrtare pafund që të sorollatin, të blejnë e nuk të mbarojnë punë. Për këtë arsye ai bën ndjenjën e viktimizimit dhe ju propozon qytetarëve riorganizimin e drejtorive e thjeshtim e praktikave.
Po çfarë fshihet pas kësaj? Sot, PS i ka të gjitha institucionet në dorë dhe nuk ka nevoje për fryrje institucionesh dhe drejtorish. Në të kaluarën krijoheshin e shtoheshin drejtori për të kënaqur aleatët në bashkëqeverisje. Ndërsa këtë herë për herë të parë në pluralizmin demokratik, kemi një subjekt të vetëm që do të qeveris. Iniciativa e Ramës për riorganizim duke shkurtuar numrin e ministrive dhe duke riorganizuar drejtoritë ka qëllim centralizimin e pushtetit në pak duar. Ka një tendencë tashmë të hapur që po tentohet monopolizimi dhe trashëgimia e pushtetit vetëm në një rreth të ngushtë personash. Për këtë arsye Rama nuk dëshiron të promovojë njerëz në detyra të rëndësishme shtetërore nga frika që do t’i dalin nga kontrolli dhe nuk mund t’i kthehen në rival të egër. Kjo është edhe arsyeja tjetër që nuk kemi një rinovim rrënjësor emrash në poste ministrore, por rikonfirmim të atyre që ishin edhe ne “Rama1”.
Megjithëse manipulimi i Ramës me masën është se këto shkurtime dhe organizime i bën në të mirën e tyre, unë kam dyshime për efektshmërinë konkrete që do të kenë, sepse burokracia do të vazhdojë të jetë e pranishme dhe po ashtu edhe korrupsion pasivë. Zhvillimi i formave të reja të komunikimit si socialnetworke kanë bërë që korrupsioni thjeshtë të ndryshojë formë, por të mbetet, në ditë në vazhdim do të kemi më shumë korrupsion pasivë se sa aktiv. Kjo do të ndodh kryesish për praktikat administrative dhe për ato që bëjnë pjesë tek shërbimet burokratike. Ky lloj korrupsioni nuk do të jetë ekskluziv i Ramës, por i individëve që bëjnë pjesë në nivele të ndryshme administrative dhe institucionale. Rama do të vazhdoj të mbaj si eksluzivitet korrupsion aktiv që do të mbetet në nivelet më të larta të vendimmarrjes dhe kryesisht në sektorët makroekonomik të vendit që ka të bëj me tender publik, me politika të caktuara zhvillimi apo me ato që jemi mësuar t’i quajmë reforma zhvillimi.
Rama me dy zgjedhjet e tij për kreun e Parlamentit dhe për kreun e Grupit Parlamentar e ka çimentuar përfundimisht pushtetin e tij.
Ruci, komunist apo jo, ministri i fundit apo jo i Ramiz Alisë, ka një statur e një personalitet të fortë jo vetëm brenda forume drejtuese të PS, por në gjithë sistemin politik shqiptar. Prania e tij në Parlament do të jete një impakt i fortë për jetën parlamentare. Rivaliteti i tij me Berishën do të jetë me interesanti në këtë legjislaturë. Po ashtu titanike do të jetë edhe përplasjet e tyre.
Ndërsa Ballën e kam njohur nga afër. Mund të thuhet çdo gjë për të, por është politikan me një eksperiencë të rëndësishme parlamentare, ka aftësi të forta negociuese dhe bindëse. Nëse ka mbijetuar bashkëqeverisja e PS me LSI, kjo ka ndodh falë Taulant Ballës, i cili në çdo kohë ka ndërmjetësuar për të mbijetuar deri në fund të legjislaturës. Madje, edhe ne zgjedhjen e Metës si President, një kontribut të rëndësishëm ka Balla. Jam i sigurt se do të jetë nder parlamentarët që do tët shkëlqejë më shumë me oratorin e tij në këtë legjislaturë. Balla është nder deputetet më aktiv dhe punëtor në jetën parlamentare. Ai të gjithë karrierën e tij politike e ka krijuar vetë pa ndihmën e askujt. Kjo tregon se ai nuk është i rastësishëm aty dhe po ashtu nuk duhet të vihen në dyshim aftësitë e tij.
Me këto dy zgjedhje Rama e ka çimentuar pushtetin e tij për këtë legjislature.
Ndërsa emrat e qeverisë “Rama2” i shoh pa asnjë risi dhe me vjen keq për personalitete si Mimi Kodheli që janë lënë jashtë. Megjithatë, është dëshmuar se për Ramën ministrat janë të papërfillshëm për të, thjeshtë rrogëtar, sepse të gjitha i bën vetë me këshilltarët e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *