Pritshmëritë për Bashën!

Home / Njoftime / Pritshmëritë për Bashën!

Nga Alban Daci

Basha është rikonfirmuar në krye të PD-së, partisë më të madhe Opozitare.  Nuk jam dakord me analizën që bën Lubonja në lidhje me historikun e PD-së dhe për ashtu për të ardhmen e saj.

PD-ja ka qenë partia e protagonizmit demokratik dhe progresit të Shqipërisë në momentet më të rëndësishme e të vështira të vendit.

Bilanci i PD-së në këto vite tranzicioni nuk është kaq i errët sa duan ta paraqesin, por ajo duke qenë protagoniste e Shqipërisë në një periudhë të vështirë si tranzicioni ka edhe përgjegjësitë e veta, por nuk mund të mohohet edhe kontributi historik i kësaj force.

PD-ja është partia e kurajës  për ndryshime të rëndësishme e rrënjësore të Shqipërisë duke hapur horizonte të reja që lidheshin me lirinë si ndjenjë njerëzore, me demokracinë si procesin më të mirë të qeverisjes e po ashtu me nevojën e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë si mundësia e vetme për tu shkëputur me të kaluarën dhe për tu bërë pjesë e reale e demokracive perëndimore.

Bilanci i PD-së duhet të shihet në dy këndvështrime, si filozofi politike e po ashtu edhe si alternativë qeverisje.

Për të parën, PD-ja ka një histori të ndritur, sepse parimisht ka përfaqësuar filozofinë e të Djathtës dhe në themel ka pas lirinë si mundësi jete për individët dhe demokracinë si formën më të mirë të qeverisë. Ardhja e PD-së si filozofi politike ka sjellë edhe modele të reja politike duke thyer tabutë e të kaluarës.

PD-ja si filozofi politike ka qenë dhe mbetet filozofia më pozitive në një sistem politik të tranzicionit shqiptar.

PD-ja në momentet më delikatë të historisë në tranzicion ka mbajtur qëndrime që kanë bërë diferencën dhe ka shënuar progres edhe në drejtimin e çështjeve kombëtare. Nuk duhet të harrojmë se progreset më të rëndësishme në procesin e integrimit euro-atlantik, Shqipëria i ka bërë falë kontributit dhe optikës politike të PD-së.

Rezultati i filozofisë pozitive të PD-së janë padyshim anëtarësia e saj, lidershipi historik dhe impakti ndërkombëtar e rajonal që ka pasur ajo në momentet më të vështira të Shqipërisë.

Ndërsa sa i përket PD-së si alternativë qeverisje ajo duhet të analizohet edhe në raport me të tjerë, sepse PD-ja nuk ka qeverisur asnjëherë e vetme që nga themelimi i saj. Për këtë arsye ajo ka fajet e saj që lidhen me raportet që ka krijuar me partnerët (aleatët) në qeverisje, por ajo nuk është fajtore absolute për rezultat e qeverisjes.

Megjithatë, nuk ka dyshime e nuk mund të ketë dyshime se, PD-ja falë trashëgimisë së saj politike dhe historikut të saj mbetet një ndër alternativat më të rëndësishme politike dhe jo vetëm në sistemin politik shqiptar.

PD-ja i ka të gjitha mundësitë me qenë alternativë serioze për të qeverisur vendin e kjo për faktin se Shqipëria ka një taban të rëndësishëm të djathtë, që për hir të vërtetë ka një histori me të hershme se filozofia e të Majtës.

Shqipëria e ka nisur historinë e saj të shtetbërjes me njerëz të djathtë dhe baza e organizimit social dhe ekonomik i Shqipërisë ka qenë modeli i të djathtës duke pasur në bazë të zhvillimit të saj pronën private, familjen dhe nevojën e vazhdueshme për demokraci e liri.

Rizgjedhja e Bashës në krye të PD-së ka pritshmëri dhe mundësi reale për ta sjellë në pushtet. Pushteti nuk duhet të konceptohet si mundësi privilegjesh për interesa personale apo të caktuara, por si një mundësi për t’i shërbyer vendit dhe për ta dërguar Shqipërinë me sukses drejt sfidave të reja të kohës.

Basha ka një tashmë një eksperiencë të rëndësishme institucionale e po ashtu ka një formim pozitiv perëndimor e këto janë garanci reale për të pasur pritshmëri pozitive për të ardhmen e PD-së si filozofi politike të djathtë.

Bashën nuk mund ta shikoj e ta mendoj vetëm në rolin e burokratit në krye të PD-së, por ai ka të gjitha kapacitet dhe mundësi të tregoj lidershipi.

Basha ka të gjitha mundësitë të jetë politikani vizionar dhe jo vetëm kreu i një Partie që merret me ekuilibrat e brendshëm dhe me çështjet administrative të saj.

Unë, pres ta shikoj Bashën në rolin e protagonistit të vërtetë në zhvillimin e më tejshëm të filozofisë politike të PD-së si forcë moderne e moderuar e po ashtu si ideatorin e një alternative reale qeverisëse që do i siguronte Shqipërisë suksese në sfidat e kohës.

Kam pritshmëri që Basha, do të bëj rolin e “statistit opozitar” duke qenë lider mjaft aktiv edhe në çështjet diplomatike që kanë të bëjnë me proceset e Rajonit dhe po ashtu edhe me të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Nëse ka diçka që çalon sot PD-ja është mungesa e një politike të fortë diplomatike e vizionare. PD-ja duket sikur është e pa interesuar për proceset e Rajonit që kanë të bëjnë me sigurinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Unë, pres që PD-ja të krijoi një staf të fortë për hartimin e politikave ndërkombëtare dhe për të hartuar platforma serioze në lidhje me qëndrimin e Shqipërisë në proceset e Rajonit e po ashtu edhe për hartimin e një strategjie serioze diplomatike për procesin e integrimin të Shqipërisë.

Basha është lideri i Opozitës dhe ai duhet të jetë aktiv me qëndrime, lobime e takime për çështjet e Rajonit që lidhen me të ardhmen e shqiptarëve.

Pres që Basha të bëj qëndrime e propozime e të jetë aktiv në lidhje me të ardhmen e Maqedonisë, çështjen e emrit, përdorimin e gjuhës shqipe.

Pres që Basha të jetë aktiv në lidhje me çështjet që lidhen me proceset politike të Kosovës dhe të dialogut apo zgjidhjes me Serbinë.

Basha i ka të gjitha kapacitet intelektuale dhe eksperiencën e mjaftueshme institucionale për të ofruar optikën e tij në lidhje me proceset e Rajonit.

PD-ja është një parti me një histori të rëndësishme politike dhe institucionale dhe nuk mund të kufizohet vetëm me çështje puro politike dhe vetëm të natyrës lokaliste.

Po ashtu pres nga Basha që të bëj një opozitarizëm institucional.

Historia e opozitarizmit në Shqipëri është më shumë histori e natyrë populiste e primitive e shumë pak institucionale, pa bërë dallime mes të djathtës apo të majtës.

Shqiptarët nuk janë më “primitiv” përballë politikës dhe proceseve demokratike të vendit e nuk duhet të konsiderohen vetëm si turma që japin sodisfaksione apo spektakël politik për subjektet politike.

Shqiptarët tashmë kanë një eksperiencë të konsiderueshme të tranzicionit politik dhe kanë nevojë më shumë se kurrë për modele institucionale të bërit politik.

Basha i ka të gjitha mundësi të bëj opozitë në institucionet që të ofron vetëm forma demokratike e organizimit të vendit.

Basha i ka të gjitha mundësit të shkëlqejë në Parlament, në selinë e PD-së, në forma të ndryshme të komunikimit me qytetarët.

Shqiptarët vuajnë për alternativa dhe projekte konkrete që kanë të bëjnë me përfaqësimin dinjitoz e mbi të gjitha me propozime e me iniciativa që do ju përmisonin kushtet ekonomike/standardin e jetës e mbi të gjitha sigurinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *