LAB, Patozi dhe propozimet për reformim!

Home / Njoftime / LAB, Patozi dhe propozimet për reformim!

Nga Alban Daci

Nga Lëvizja Anti Basha (LAB)  tashmë kemi de facto vetëm në lëvizjen e Patozit (solis) kundër PD-së. Ashtu siç pritej, pas zgjedhjeve dhe rikonfirmit të Bashës në krye të PD-së, logjikisht lëvizja e disave kundër Bashës do të kthehej vetëm në një lëvizje të njërit kundër PD-së. Është për të ardhur keq se si është katandisur Patozi, nga një figurë e rëndësishme e PD-së (ndoshta e pamerituar) është kthyer tashmë në një analistë portalesh kundër Bashës.

LAB nisi në fillim me pretekstin si një lëvizje për reformimin e PD-së.  E dini pse nuk e kam besuar që në fillim misionin e kësaj lëvizje? Sepse, protagonistët e kësaj nuk ishin anëtarë të orëve të fundit të PD-së, por janë persona që kanë më shumë se 20 vjet tek PD-ja, kanë përfituar prej saj dhe kurrë nuk kanë ngritur probleme që kanë të bëjnë me reformimin e PD-së.

Pse erdhi kjo lëvizje? Shumica prej tyre nuk u konfirmuan në listat e PD-së! A është normale një gjë e tillë? Vetëm këta me mendësi tipike komuniste për pushtet të përhershëm pretendojnë të dalin në pension dhe të vdesin deputetë. Çdo kryetar ka të drejtë ekskluzive vendosjen e personave të listë, por edhe sikur të mos ishte, PD ashtu si çdo forcë politike kanë nevojë për energji të reja dhe rotacione elitash. Ndryshe nuk do të quhej lider e po ashtu duhet të ndryshojnë të gjitha teoritë që ekzistojnë për lidershipin.  Në këto rrethana LAB nuk erdhi si domosdoshmëri për t’i shërbyer PD, por erdhi si nevojë personale e disa për pushtet të përhershëm.

Gabimi i kësaj lëvizje është se, humbjen e PD-së e kanë konsideruar si humbje ekskluzive të Bashës. A është kështu? Ku ishte kontributi i anëtarëve të LAB në zgjedhjet e 25 qershorit? A janë përgjegjës edhe ata për humbjen e PD-së? Humbja e PD-së a është humbja e të gjithëve? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i din çdo anëtarë i thjeshtë i PD-së! Po nëse PD-ja do të kishte fituar  a do të kishim një LAB? Tashmë që Basha u rikonfirmua kryetar përmes procesit të zgjedhjes “një anëtar, një votë” a  ka më kuptim vazhdimësia e LAB? Patozi siç duket ka rifilluar pasionin e tij të parë atë të gazetarit dhe të analistit, por këtë po e bën për urrejtje e për ego personale vetëm kundër një personi, kundër Lulzim Bashës! Në këto rrethana, besueshmëria e Patozit po zbehet gjithnjë e më shumë se, ai është me të vërtetë  nuk është i interesuar për PD dhe të ardhmen e saj politike.

Sot, Patozi në emër të LAB ka bërë ca propozime amatoriale për ndryshimet e Statutit të PD-së. Praktikisht, Patozi, flet në emër të tjerëve që nuk janë dhe përfaqëson vetëm veten që se din se ku është. Çdo kush ka të drejtë ta quaj një grupim si të dojë, por është absurde që tre ish ministra, Patozi, një gazetar dhe një artist të quhen lëvizje? Kaq janë e s’kanë asnjë tjetër më mbrapa!

Propozimet e LAB të publikuara sot tek “Panorama” do i konsideroja me të drejtë shkrimi i Patozit kundër Bashës! Megjithatë, duke e lexuar me vëmendje vendosa edhe ta analizojë.

Projekti i Patozit për reformimn e PD ndahen në disa pika të cilat nuk mund të konsiderohen çështje, sepse ai nuk evidenton problematika, por vetëm propozime duke thënë si duhet të jetë Statuti i PD-së, pa treguar si është dhe si ka qenë. Jo për gjë, por Patozi ka më shumë se 20 vjet tek PD duke pasur kështu edhe ai përgjegjësitë e veta nëse Statuti i PD nuk qenka i duhuri.

Pika 2: “Rregulla të qarta mbi sistemin e karrierës dhe meritës në të gjitha nivelet e organizimit  dhe hierarkisë së Partisë”. Kështu thotë Patozi. Pyetja e parë është: a është vetë Patozi tek PD-ja prodhim i meritës dhe karrierës? Përgjigja është absolutisht jo! Pra, Patozi pretendon meritën dhe karrierën, kur vetë nuk është prodhimi i një sistemi të tillë vlerësimi.  Ky propozim është vetëm demagogji, sepse rregullat e karrierës dhe të meritës rregullohen nga Statuti përmes propozimeve dhe zgjedhjeve të forumeve përkatëse. Çdo anëtarë i PD-së ka të drejtë për karrierë dhe po ashtu për meritë. Megjithatë, partitë janë forma organizimi vullnetar dhe nuk janë reparte ushtarake dhe për pasojë nuk mund të ketë asnjëherë masa matëse të sakta.  Edhe në partitë e SHBA-ve, kryetari ka të drejtë të zgjedh njerëzit e besuar dhe të përkushtuar rreth tij që kanë të njëjtën linjë politike. Në këto rrethana ky propozim i Patozit është thjeshtë demagogji dhe asgjë më shumë!

Pika 3: “Përcaktimi i procedurës, kritereve e modaliteteve në miratimin e kandidaturave për deputetë dhe kandidaturave të tjera elektorale nga organet vendimmarrëse kolegjiale të partisë dhe shqyrtimin e propozimin e tyre nga anëtarësia”. Ka një problem të madh në lidhje me format e organizimit që duhet të kenë subjektet politike, sepse është një debat mes idesë së organizimit klasik apo formave të reja. Format e reja të komunikimit të shpejtë dhe të organizimit të shoqërisë kanë sjellë probleme në lidhje me formatet që duhet të kenë subjektet politike. Ka një debat të madh mes aplikimit të demokracisë përfaqësuese (deleguese) dhe demokracisë së drejtpërdrejtë. Ky debat nuk po diskutohet vetëm në përfaqësimin  dhe formën qeverisëse të një vendi, por edhe për formatin e organizimit e funksionimit të subjekteve politike. Unë, mbetem i idesë që qytetarët duhet të jenë aktiv, por nuk duhet të jenë plebishitar për format e organizimit të shoqërisë në subjekte politike apo në forma të tjera me rregulla strikte që kanë ardhur si domosdoshmëri e kohës, sepse janë forma që kanë si qëllimin organizimin dhe disiplinimin e formave masive shoqërore. Në këtë këndvështrim, nuk jam dakord që anëtarësia të vendos për përfaqësuesit e saj, sepse masat nuk ndjekin linjën institucionale, por emotive. Megjithatë, nëse e marrim a priori propozimin e Patozit, ai nuk është i sinqertë në atë që shkruan dhe kërkon. Çështja e listave të deputetëve zgjidhjet duke u ndryshuar Kodi Zgjedhor dhe duk u futur proporzionali. Në këto rrethana, Patozi dhe shumë të tjerë, nëse janë të dëshiruar nga militantët e PD-së dhe jo vetëm, garojnë me emrin e tyre. Patozi s’ka marrë kurrë guximin të thotë se Kodi Aktual zgjedhor është anti demokratik e anti kushtetutes.

Në propozimet e Patozit më ra  në sy pika 5, ku ndër të tjera shkruan se: “Krijimin e gjykatës se partisë”. Ky mund të jetë një ndër propozimet me absurde të bërë ndonjëherë nga një person me një eksperiencë të gjatë në politikë. Së pari, PD-ja është subjekt politik dhe jo ent shtetëror, apo shtet e po ashtu nuk është formë organizimi sui generis si për shembull Vatikani. Ky propozim nuk është vetëm absurd, por edhe me keq, është puro komunistë që na kujton proceset e PPSH, kur shkelej “linja e Partisë”. Me ardhjen e plurarilizmit, subjektet politike janë forma të organizimit vullnetar mbi bazat e gëzimit të lirisë dhe të drejtave themelore të njeriut. Çdo kush mund të bëhet pjesë e një subjekti politik e po ashtu me vullnetin e tij mund të largohet sa herë ta shoh të arsyeshme dhe të nevojshme. Krijimi i kësaj “Gjykate” vetë në parim kërkon të ndalojë e të kufizojë lirinë dhe vullnetin e çdo anëtari. E përsëris forma e vetme e organizimit të PD-së është Statuti dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj forme tjetër shtesë.

Ndërsa tre pikat e fundit të propozimit 9, 10 dhe 11  nisin me “në rast të humbjes së zgjedhjeve kryetar të jap dorëheqjen”. Mjafton të lexojmë vetëm këto pika për të kuptuar e besuar se meraku i Patozit nuk është PD, por egoja e tij personale, sepse në krye të PD-së është Basha i cili e përjashtojë nga lista e shumëemërore e deputetëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *