Vucic dhe kufijtë si barriera psikike përballë realiteteve aktuale gjeografike

Home / Njoftime / Vucic dhe kufijtë si barriera psikike përballë realiteteve aktuale gjeografike

Nga Alban Daci

Ballkani është një  nga Rajonet që edhe pse me përmasa të vogla, ka prodhuar histori thuajse sa pjesa e tjetër e Botës. Madje, për Ballkanin thuhet se ka prodhuar histori më shumë se sa ka konsumuar. Historia e Ballkanit është historia e konflikteve të ashpra etnike, por edhe i përplasjeve të mëdha në nivel botëror. Kjo ka ndodhur duke u nisur nga fakti se Ballkani është gjeneza e civilizimeve europiane e për pasojë në këtë rajon kanë lindur konceptet e para të shteteve, të hapësirave jetësore, të nevojës për zgjerim, për tu mbrojtur. Historia e Ballkanit është historia e kulturave të mrekullueshme, të qytetërimeve fantastike, të modeleve të para të demokracisë, filozofisë, të artit, letërsisë dhe të koncepteve të para të perandorive dhe të bërjes së gjeografisë së botës.
Pjesa tjetër e botës duket sikur ka evoluar në optikën e saj për bashkëpunimin mes popujve dhe të këndvështrimit të kufijve dhe gjeografisë e Ballkani duket se tashmë konceptin e ngushtësisë e ka një sindromë të vjetër. Kjo nuk mund të quhet gabim duke pasur parasysh gjeografinë e gadishullit Ballkanik, një hapësirë e vogël e përbërë nga disa popujt që në luftën e tyre për ekzistencë konceptin e kufirit e kanë parë jo vetëm si koncept mbijetesë, por edhe si një nevojë absolute për mirëqenie e prosperitet. Popujt e Ballkanit, disa vendali e disa të ardhur për nevojën e mbijetesës, të rrethuar nga fuqi e popuj më të mëdhenj e të fuqishëm se ata, kufirin e brendshëm e kanë konceptuar si “hapësirë vitale” e deri diku edhe si të shenjtë. Ky këndvështrim ishte i pranueshëm deri para ca kohësh, ku mbijetesa apo zgjerimi i popujve varej drejtpërsëdrejti nga koncepti i shtetit-komb dhe për këtë fundi fillimi dhe mbarimi i tij përcaktoheshin me konceptin e kufirin që ndonjëherë ishte natyral e disa herë të tjera artificial.
Evoluimi i teknologjive të transportit, konceptet e reja urbane, zhvillimi i i shpejtë i infrastrukturës bënë ndryshime të mëdha mes popujve ne lidhje me konceptet e gjeografisë duke u takuar më shpesh civilizime të largëta dhe duke intensifikuar kështu fillimisht marrëdhëniet njerëzore e pastaj natyrshëm edhe shkëmbimet tregtare, kulturore, teknologjike. Në këto rrethana ndryshojë edhe koncepti për kufirin dhe po ashtu u zbeh dukshëm nevoja e shtetit-kombit duke e përjashtuar si të vetmen mënyrë të organizimit dhe të administrimit të popujve. Përballë këtyre realiteteve Ballkani humbi rëndësinë e tij historike dhe po ashtu roli i tij apo pesha e tij në realitetet e reja historike u bo i papërfillshëm. Një ndër popujt ballkanik që ka paguar më shumë për ekzistencën e tij përballë të tjerëve është padyshim ai shqiptar dhe kjo lidhet me ekzistencën e tij të natyrshme dhe autoktone në pjesët me të mira të gadishullit dhe nevoja e popujve të tjerë duke përfshirë edhe të ardhurit për hapësirën tonë të konceptuar nga ata si “hapësira vitale” për ekzistencën e tyre.
Shembulli i një lufte për mbijetesë në konceptin e hapësirës vitale pa dyshim mbetet Kosova. Ky territor me histori fillestare dhe etnike shqiptare në skemat e vazhdueshme të përplasjeve është bërë dëshmi e konflikteve të ashpra me pasoja të rënda për popullatën e sidomos atë shqiptare.
Krijimi i realiteteve të reja si BE-ja, rënia e Jugosllavisë, Lufta e Shqiptarëve për ekzistencë dhe Shpallja e Pavarësisë së Kosovës duhet të merren si precedentë për reflektime serioze. Kosova është shembulli më i mirë dhe dëshmia me reale se konfliktet nuk janë zgjidhja e problemit apo e situatave ndërmjet popujve të ndryshme që për rrethana të ngjashme historike janë të “dënuar” të jetojnë në një territor të përbashkët.
Ballkani përballë realiteteve të reja gjeografike, modeleve të reja të bashkëpunimit dhe organizimit jo vetëm ndërmjet një shteti-komb, por ndër kombe të tjera e ka bërë këtë rajon të papërfillshëm dhe po ashtu demode përballë sfidave të kohës.
Përse Ballkani duhet të heq dorë nga koncepti i kufirit si ndarje me etnive dhe kombeve? Sepse shtetet e Ballkanit janë aq të vogla e të papërfillshme përballë realiteteve të reja europiane e jo vetëm, sa ata nuk janë në gjendje t’i mbrojnë kufijtë e tyre sipas psikozës së ndarjes dhe hapësirës vitale.
Popujt e Ballkanit nga konfliktet e historisë kanë pasur vetëm humbje në njerëz, prapambetje e varfëri të vazhdueshme. Në rrethanat e konfliktit të vazhdueshëm mes veti kanë pasur barriera të rënda psikologjike që i kanë penguar për tu transformuar dhe për tu bërë pjesë e realiteteve të reja të bashkëpunimit ndërkombëtare dhe të hapjes me botën.
Historia e çdo populli duhet të pranohet e duhet të nxirren mësime për të pasur përmisa në të ardhmen në kuadër të bashkëpunime të përbashkëta dhe jo të ndasive. Ndasitë janë një mbetje e rrezikshme historike që nuk sjellin asgjë të mirë për popujt dhe për krejt rajonin e Ballkanit.
Vendet e Ballkanit përballen me invazionin e formave të reja të organizimit ndërkombëtar dhe të koncepteve të reja për gjeografinë e botës. Nëse këta vende përballë këtyre realiteteve do të vazhdojnë të sillen me konceptet e vjetra të kufijve si barriera psikologjike dhe të konflikteve të brendshme do të rrezikojnë seriozisht asimilimin e tyre e deri edhe eliminimin e tyre. Ballkani është një gur i çmuar i historisë dhe civilizimit europian, me diversitetin e tij është një pasuri e madhe për krejt kontinentit, por nëse këto cilësi nuk vendosen në funksion të një bashkëpunimi të përbashkët, rrezikojnë të kthehen në bumerang për vetë popujt e Ballkanit.
Lexova me vëmendje shkrimin e presidentit të ri të Serbisë Vucic dhe me thënë të drejtë me impresionojë shumë. Rotacioni i elitave dhe lidershipeve nuk janë të rëndësishme vetëm për një vend, por edhe për vendet e tjera. Kishte ardhur momenti që Serbia të ketë një lidershipi që pranon realitetin historik, po nuk mbetet peng i saj, dëshiron dhe fillimisht fton pikërisht popullin e tij për reflektim. Nuk jam plotësisht dakord me shkrimin e Vucic, por sigurisht e konsideroj një hap të rëndësishëm përpara në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet dy popujve, atij shqiptar dhe serb, por edhe si një shembull për nevojën e koncepteve të reja të bashkëpunimit rajonal, ku pengesë nuk duhet të jenë më kufij, por nevoja për bashkëpunim reciprok përballë sfidave të përbashkëta të kohës.
Serbia, Shqipëria, shqiptarët, serbët dhe popujt e tjerë të Ballkanit kanë më shumë se kurrë nevojë për bashkëpunim, sesa për ndasi apo konflikte. Ramën e kanë kritikuar për modelin e qeverisjes dhe për shumë arsye të tjera dhe është normale që një kryeministër edhe të kritikohet. Megjithatë, unë e kam parë si të suksesshme modelin e tij të diplomacisë në Rajon e më gjerë. Oferta e vazhdueshme të Ramës për bashkëpunim duke u kujtuar vendeve të tjera të rajonit realitetin dhe çfarë kanë prodhuar konfliktet në të kaluarën kanë dhënë dhe do të japin rezultate të rëndësishme në dobi të krejt Rajonit. Jam dakord me idenë e Ramës se ne kemi një histori dhe një të kaluar të lavidshme dhe nuk kemi pse të kemi asnjë lloj fobie për tu takuar dhe për të përballur me sfidat e kohës.
Analistët tendencioz do e interpretojnë shkrimin e Vucic sipas orekseve të tyre apo edhe koncepteve prapanike e tinzare që mund të kenë të lidhur ngushtë me ideologjinë e nacionalizmit. Reagimin e Vucic e shikoj të ndershëm dhe sigurisht ndihmesë për këtë reflektim ka qenë edhe politika e jashtme e Ramës si dhe realiteti i ri ndërkombëtare. Retorikat nacionaliste përballë realiteteve të kohës nuk na shpijnë gjëkundi veçse tek e kaluara e mbushur me konflikte dhe me pasoja të rëndë për popujt që mund të bashkëjetojnë duke bashkëpunuar në një territor që tashmë për arsye të ndryshme historike është i përbashkët, aq shumë i përbashkët sa kufijtë janë një ndasi psikologjike që pengon dhe rrezikon ekzistencën e përbashkët në një koncept të ri gjeografik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *