A po ndihmon BE-ja krijimin e Jugosllavisë?

Home / Njoftime / A po ndihmon BE-ja krijimin e Jugosllavisë?

A po ndihmon BE-ja krijimin e Jugosllavisë?Këto ditë disa portale e disa pseudogazetarë kanë kthyer në qendër të vëmendjes idenë se BE po kërkon e po ndihmon krijimin e Jugosllavisë. Sa qëndron kjo? Kjo më shumë se një anekdotë nuk mund të konsiderohet asgjë tjetër.
BE që nga themelimi i saj erdhi si një formë për të shmangur luftën mes fuqive europiane e për të rritur mes tyre bashkëpunimin ekonomik dhe për të intensifikuar marrëdhëniet njerëzore. Në gjithë historinë e saj që nga themelimi i Komitetit të Kromit e Çelikut, politika e integrimit europian kanë pasur vetëm një qëllim dhe një formë bashkimi, bërjen pjesë në familjen e përbashkët europiane.
Pra, BE kërkon forcimin e saj duke monopolizuar të vetmen formë bashkëpunimi e bashkimi politik dhe ekonomik në Kontinent. Mjafton të shikohet historia e integrimit europian dhe kuptojmë farë lehtë se BE nuk kërkon asnjë lloj forme tjetër bashkëpunimi apo forme tjetër organizate qoftë edhe sui generis.
Themelimi dhe krijimin i Jugosllavisë edhe pse pas mbarimit të Luftës I ishte e domosdoshme për ekuilibrat e rajonit e kontinentit u vërtetua se ishte një ndër entitetet më të gabuara shtetërore, sepse ishte një model totalisht artificial dhe imponues që nga fillimet e veta vetëm nga një etni, kur në fakt në përbërjen e saj ishin gjashtë etni.
Krijimi i Jugosllavisë solli pasojat më të rënda me konfliktet më të rënda në Europë nga Lufta II. Shpërbërja e saj ndodhi vetëm përmes konflikteve të armatosura dhe u shoqërua me akte të rënda gjenocidi sidomos të bërë nga pala e Republikës së Serbisë.
A ka shanse të rikthehet përsëri modeli i Jugosllavisë në Ballkan? Jo! Ballkani është i freskët nga historia dhe nga ngjarjet që u përfshinë etnitë dhe republikat. Mes etnive që kanë përbërë Jugosllavinë faza e pajtimi nuk është bërë. Kështu, një ndër bashkëthemeluesit e mbretërisë Serbo-Kroate si gjeneza e Jugosllavisë, Kroacia ka një urrejtje kundrejt Serbisë për shkak të krimeve të bëra në Vukovar dhe në disa zona të tjera. Po ashtu as Shqiptarët që janë në tre shtete duke përjashtuar Shqipërinë e shikojnë të pamundur ribashkimin me Serbinë.
Po ashtu, ekuilibrat e sotëm në Rajon kanë ndryshuar nga ato të fillimit të Jugosllavisë. Shqiptarët sot janë një faktorë i rëndësishëm në Ballkan dhe kanë një tendencë të natyrshme për tu bashkuar mes veti dhe këtë bashkim e shikojnë si një kundërpërgjigje të faktorit serb në Ballkan dhe jo vetëm.
Qëllimi i vetëm i Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe vetë Serbinë është integrimi dhe anëtarësimi i plotë në BE.
BE përtej momenteve të krizës që ka kaluar ka dëshmuar se është forma me suksesshme e bashkëpunimit e krijuar që nga lufta 30 vjeçare. Falë ekzistencës së BE, kontinenti ka njohur një zhvillim të kënaqshëm ekonomik, një paqe të qëndrueshme dhe një faktorizim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
BE është forma e vetme më mirë që garanton qëndrueshme e bashkëpunim mes shteteve e popujve në Kontinent duke ruajtur diversitetin si pasuri kulturore.
Idetë e krijimit të Jugosllavisë janë fantazi primitive që nuk kanë asnjë bazë të vërtetë ndërkombëtare apo në diplomacinë europiane. Të gjitha format e bashkëpunimit rajonal në Ballkan do të jenë në funksion të forcimit të BE-së.

Nga Alban Daci

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *