Qëndrimi i PBDKSH në lidhje me koalicionet

Home / Njoftime / Qëndrimi i PBDKSH në lidhje me koalicionet

Në rrugëtimin tonë politik thuajse tre vjeçar kemi vënë re se ka mungesë përfaqësimi, pushtetit nuk ndjehet mbi gjithë territorin e po ashtu edhe deficit demokratik.

Ndoshta në Shqipëri është krijuar ideja se ka shumë parti politike. Mendoj se nuk është problem numri i tyre, por problem real është se ata nuk përfaqësojnë qytetarët.

Pra kemi shumë parti e pak përfaqësim qytetarë. Kjo ndoshta ndodh për faktin se politika ekzistuese është e larguar nga qytetari dhe është kthyer burokratike e oligarkike. Shumica e partive politike nuk janë në kërkim të përfaqësimit qytetar dhe nuk e shikojnë pushteti si mjet për të realizuar misionin e përfaqësimit qytetar, por politikën e shikojnë, bëjnë dhe e aplikojnë vetëm në dinamikën e marrjes së pushtetit. Pushteti në vendet demokratik përkthehet zakonisht marrje përgjegjësie e ndërsa për parti politike shqiptare do të thotë: Më shumë privilegje personale e shumë pak përgjegjësi publike.

Unë dhe Eduarti sapo dilnim nga Tirana dhe drejtoheshim drejt periferisë së Shqipërisë shikonim me keqardhje se si pushteti dhe politika e ka braktisur qytetarin. Shumë probleme që kemi ngritur dhe zgjidhur që lidhen me qytetarët, janë të natyrës së mungesës së përfaqësimit ose edhe më keq të largimit të pushtetit nga qytetarët pasi është kthyer në shërbim të privilegjeve personale. E gjithë Shqipëria ka probleme serioze të kësaj natyre, por problemet më të mëdha të mungesës së përfaqësimit ose të largimit të politikës nga qytetari e ka Lezha dhe të gjithë qarqet e Veriut. Zakonisht në këto zona pushteti interesohet për qytetarin dhe bëhet i pranishëm për ta vetëm në fushata elektorale dhe në pjesën tjetër të kohës qytetarët janë të braktisur në kuptimin e vërtetë të fjalës në “mëshirën e fatit”.

Siç e thash është e vërtetë se në Shqipëri ka shumë parti politike, por të gjitha këto parti pavarësisht forcës, peshës elektorale dhe misionit duan të jenë më çdo kushte vetëm kombëtare. Të gjitha partitë politike i kanë zyrat në Tiranë, veprojnë në Tiranë. E dini pse? Sepse, në Tiranë është foleja dhe burimi i pushtetit.

Shqipëria në komponimin e saj social është heterogjene dhe kjo nuk duhet të na shqetësojë, sepse diversiteti është pasuri. Për këtë arsyeja unë dhe Eduarti kuptuam se Shqipëria ka nevojë për një forcë politike që vlerëson lokalen e zhvillon atë dhe e ve në shërbim të zhvillimit e progresit kombëtar.

Demokristianët janë një komunitet mjaft i rëndësishëm në Shqipëri si në numra, por edhe për shkak të vlerave e tipit ideal që ofron. Megjithatë, është po aq e vërtetë se ky komunitet nuk është vlerësuar asnjëherë si duhet. E dini pse? Sepse, të gjithë subjektet politike që kanë në emërtimin e tyre konotacionin “Demokristian”, nuk kanë asnjë lidhje me këtë komunitet, por vetëm e kanë përdorur si slogan apo si vlerë për të arritur pushtetin si privilegj personal.

Ne, për të vlerësuar lokalen, territorin dhe historikun vendosëm që edhe Selinë Qendrore të PBDKSH të mos e vendosim në Tiranë, por në Lezhë. E dini pse? Sepse shumica e demokristianëve nuk kanë para të paguajnë edhe një biletë për të udhëtuar nga Shkodra, Lezha, Kukësi e Dibra drejt Tiranës. Pra, kemi vendosur ta vendosim Selinë Qendrore të PBDKSH në Lezhë për të vlerësuar territorin, për t’i dhënë vizibilitet dhe për të qenë më pranë qytetarëve dhe komunitetit. Ndoshta këto janë detaje të vogla, por janë sinjale të qarta që dëshmojnë se ne duam të ofrojmë një politikë tjetër dhe një model tjetër, atë politikë në shërbim të qytetarëve dhe jo qytetarët në shërbim të politikës.

Ka shumë këndvështrime të lira në lidhje me mundësinë e bërjes apo jo koalicion mes PBDKSH dhe subjekteve të tjera. Shqipëria ka probleme të mëdha që lidhen me sistemin politik shqiptar, i cili funksionon mbi diktatin dhe monopolin e partive të mëdha. Rrethanat historike i kanë ndihmuar ata ta krijojnë këtë status quo dhe realiteti është ky. A do të jetë i përjetshëm ky realitet? Kjo do të varet nga vullneti i qytetarëve dhe nga masa e angazhimit të tyre në politike. Sa më shumë indiferentë me politikën qëndrojnë qytetarët aq më jetëgjatë do të jetë monopoli dhe diktati i partive të mëdha.

Ne, nuk duam të jemi parti e madhe dhe as nuk e kemi këtë iluzion. Madje, qëllimi ynë është të jem me peshë e me forcë lokale e me kontribute të rëndësishme kombëtare.

Pra, ne duam të përfaqësojmë komunitetin dhe të kemi një lidhje të ngushtë me ta. Megjithatë, në kushtet e këtij diktati dhe të këtij Kodi Zgjedhor jemi të detyruar të bëjmë koalicion dhe marrëveshje politike.

Ne, kemi misionin për të përfaqësuar komunitetin dhe qytetarët dhe nëse ne nuk bëjmë koalicion i zhgënjejmë ata duke i lënë pa përfaqësim. Megjithatë, tashmë që kemi identitetin tonë politikë kjo i ka ndryshuar ca gjëra. Së pari, ne hyjmë në koalicion me një logo, filozofi politike e me objektiva konkrete dhe me identitet të fortë territorial. Kjo do të thotë se nuk mbetemi në kushtet “as të nënës e as të njerkës”.

Pjesëmarrja jonë në koalicion nuk e tradhton misionin tonë, por e forcon atë duke ngritur në nivel qeverisës dhe institucional.

Në këtë këndvështrim ne jemi të hapur për të bërë bisedime dhe për të hyrë në negociata politike. Jemi të gatshëm ta bëjmë marrëveshje apo negociata me çdo subjekt apo koalicion që na respekton si partner dhe bashkëpunëtor në realizimin e politikave të shëndosha për një qeverisje efikase e mbi të gjitha në shërbim të qytetarëve. Gjatë, kësaj kohe ne do të vazhdojmë programin tonë politikë të ringritjes, riorganizimit dhe të hapjes së PBDKSH me të gjitha shtresat shoqërore.

*Zv. Kryetar i PBDKSH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *